Xhemil Bytyçi - mjek,studiues dhe poet.



XHEMIL BYTYÇI
Mjek, studiues dhe poet


Xhemil Bytyçi, mjek, studiues dhe autor i disa librave me poezi, është një nga urologët më të njohur në Kosovë që ka nisur të merret me krijimtari letrare që në vitet e gjimnazit. Xhemil Bytyçi u lind  në Billushë të Prizrenit më 5 janar të vitit 1941. Shkollimin fillor e të mesëm e kreu në Prizren, ndërsa fakultetin e Mjeksisë në Universitetin e Beogradit në vitin 1968. Paralel me të absolvoi edhe degën e stomatologjisë të po këtij Universiteti.Gjatë studimeve ishte aktiv në grupin letrar dhe muzikor të shoqatës së njohur të atëshme të studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit me emrin "Përpjekja". Pas kryerjes së fakultetit  fillon të jap mësim në shkollën e mesme të mjeksisë në Prizren.Në vitin 1973 nis punën në Klinikën e Urologjisë të Spitalit të Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës deri kur u pensionua. Specializimin e urologjisë e kreu në Spitalin"Rebro" të Zagrebit dhe me ngritjen e tij profesionale dhe praktike arriti të bëhët një nga urologët më të njohur të Kosovës.Më 1986 mbroi tezën e doktoraturës në fakultetin e Mjeksisë të Univesitetit të Prishtinës me titull "Kontributi në etiologjinë e nefrolitiazës - studim kliniko epidemiologjik në rajonin e Kosovës" dhe avancohet në gradën e doktorit të shkencave mjeksore.Prof.dr. Xhemal Bytyci ishte për shumë vjet pedagog i rregullt i Fakultetit të Mjeksisë të Universitetit të Prishtinës me gradën më të lartë- profesor ordinar. Eshtë i frutshëm në punën pedagogjike, shkencore dhe klinike. Ka marrë pjesë në shumë kongrese, seminare e simpoziume shkencore të karakterit ndërkombtar. Ka botuar afro 100 artikuj, studime e punime në revistat e specializuara profesionale nga fusha e urologjisë dhe e kirurgjisë. Si specialist edhe pas pensionimit vazhdon ta kryejë me kompetencë të plotë etike-profesionale punën e urologut.
Deri më tani janë botuar katër përmbledhje me poezi. Libri i parë poetik "Dëgjoj shushurimën" është botuar më 2007, "Zjarri lënë në harresë" 2008, "Fijet e fjalëve" 2009 dhe "Rreze yjesh" 2010.  Ate vit disa poezi i janë përkthyer e botuar në Varshave në gjuhën polake, kurse në 2011, po ashtu në revistën letrare -artistike "Horyzonty" të Polonisë  janë botuar 4 poezi haiku. Drama e tij "Martesa" e shkruar ne vitin 1960 e pa dritën e botimin më 2011. Në dorëshkrim ka shumë vjersha, disa tregime dhe një dramë.

No comments:

Post a Comment