ZJARR I LENE NE HARRESE 2008

XHEMIL BYTYÇI
ZJARR I LENE NE HARRESE, 2008




ZOGU IM

Ç’ ndodhi, që fshihesh prapë
prapa shtërngatave me vrap?
Zogu im, të nxorën tmerrshëm nga kjo tokë,
m’u duk se në qiellin tim nuk pashë më zog.

U arratise në botën pa kufij të prerë,
nga bubullimat  e tmershme u trembe, 
ti, i miri, me barrë e brengë,
në horizontin e tokës sime fluturon përherë.

SHPRESAT E PRITJES

Kosovë, mrekulli e vërtetë në një guacë,
e kapluar ndër ankth  të pambarim
që sa herë re në kurthë e në grackë
në vete kishe dashuri dhe amshim.

Jeton pezull midis përgjegjësisë,
po mos është kjo lojë mashtruese
e artit të thënëthasheve me pantomimë,
ku lëvrijnë kukullat me dëshpërim!?

Ti lëviz nën ritmin e intrigës së shtirë,
i kapërcen emocionet tua të shtrenjta,
me shpresa të pakursyera të rrugës së mirë
që prapështitë e shekujve t’i rrokullisë.

Në Kosovë do të luhet një skenë teatri
për të provuar qëndrueshmërinë,
do të jetë gjykim i një Ahtisari
për të shpallë liri për ardhmërinë.

Në maskat në vete të dashuruar,
shpirtërat e zymtë krijojnë pejzazh të zgjedhur,
dëshirojnë Kosovës t’i japin pamje të trishtuar,
krijimin e një pavarësie të dredhur.

Djemtë e tu, Kosovë, krenari e rrallë,
mrekullitë e skajshme në këmbim,
shikimin e humbur ti do ta ringjallë
përjetshëm të kanë dhënë premtim.


IDILË E KOSOVËS

Me këto male që mugullojnë,
me këto fusha që blerojnë,
në sytë tanë ti derdh hjeshi,
ty të krijoi një Perëndi.

Të ndoq me shekuj fati i zi,
u turrën bishat një nga një,
ata të vranë, e vranë dhe veten,
na këtu prapë e bëjmë jetën.

Në këto male që mugullojnë,
në këto fusha që blerojnë
zemra e gjyshërve shkrep vetimë,
në ty, Kosovë, na jemi të bimë.

DIKUR KOSOVË

Kosovë,
ty dikur
të bënë vullkan të shuar.

Vallë, vullkanit nuk i mbyllet gryka,
llava nuk lëpihet me gjuhë,
diellit nuk i ndalet drita,
lirisë nuk i shkurtohet dita?!

Vjen fundi i tiranisë,
Kosovës nuk i ngulfatet fati.

LOT I NDARË

Pik lot gëzimi,
pik lot  hidhërimi,
për Kosovën time nesër.

Por, lutem
të mos  ia ngacëmojmë dhimbjen,
as sëmundjen e plagëve të moçme.

Shpata e unit tim flakëron
Kosova, po Kosova, na bashkon.


VËRSULJET MISTIKE

Ujqit e lëshuar 
nga vathi i  Evropës
erdhën në Kosovën jetime.

Ujqit bënë vërsulje mistike
Kosovës ia kafshonin veshët,
bënin turrime,
bënin ulërime
më fjalë poshtëruese.

Haj, ritmi i askushëve,
i sojit të rebelëve
i lidhte plagët e fjalëve
prapa kafkës së Kosovës!

Kosovën e kishin futur
midis katakombeve ballkanike,
që shkrepnin fyerje e urrejtje.

Nga dritarja e ardhmërisë
ua dëgjonin britmat
e ëndrrave të  liga 
të popullit në vetmi.

Kosova për fjalë
nuk ka grevë  urie,
ajo do t’i këndojë ardhmërisë.


TRUNG ULLIRI

Trungu i ullirit me rrenjë të denjë,
trung i Ilirit me zemër vigan
duken me rrudhat e shekullit.

Në luginën e qetësisë së kësaj toke
pushonin pëllumbat e bardhë të mirësisë,
të ngritur nga skëterra -
shpresë e forcë e lirisë
të krijojmë tempullin e  Shqipërisë!


FJALË ME VALË DETI

Moti më pikuan dy pika loti në det
deti i përbiu me timën hidhësi.

Zilia u fundos në fund të detit
njëherit e shkapërbiu për paqe.

Grepi im e luhati dëshirën nëpër valët e rrepta
dhe befas e përbiu peshku i artë.

I zhgënjyeri u fundos me befasi
për të gjetur fushëfaune deti për qetësi.

Qirinjtë u ndezën nën kupollën e detit
për t’i zgjuar dëshirat e heshtura.

Nëse fjala luan lojën në det
fatin e gëzimin prej valëve e pret.

Në fund të detit do ta vendos shqip një gur 
që nesër të mbijë bari i urtë i shqipes.

Në thëllësi të detit në atë gur
të valojë, të valojë shqiponja në flamur.

No comments:

Post a Comment